E hëna e sotme nuk është një ditë e zakonshme për punonjësit e Bashkisë së Tiranës. Kjo ditë është thjesht dita e parë e fillimit të javës për ta, por dita e parë pas votimeve ku me votën e tyre qytetarët e Tiranës kanë votuar për kryetarin e ri të bashkisë. Vetë zoti Albert Brojka është në pritje të vendimit zyrtar të Komisini Qendror të Zgjedhjeve. Ai për Televizionin Klan shpjegon:
Albert Brojka: Për mua ka rëndësi rezultati zyrtar i zgjedhjeve, atë që ka vendosur populli i Tiranës me votën e tij. Një mendim të veçantë nuk kam sepse nuk kam qenë as në brendësi të strukturave kontrolluese të procesit të zgjedhjeve, as ato numëruese, as në strukturat e një grupimi politik kështu që si një zyrtar i lartë mendoj se gjithçka do të vendoset në mënyrë zyrtare dhe do të presim rezultatin zyrtar.
Gazetarja: Në prag të përfundimit të mandatit tuaj 4-vjeçar a ju vjen keq që do të lini postin e kryetarit të bashkisë dhe stafin tuaj me të cilin keni punuar për 4 vjet?
Albert Brojka: Nuk më vjen keq për postin tim sepse ne jemi të përkohshëm. Kishim një mandat 4-vjeçar. Nuk jemi të gjithëfuqishëm që duhet të rrijmë vazhdimisht aty deri në fund. Është shumë normale në një shtet demokratik që t’i lirosh vendin dikujt tjetër. Kështu që nuk jam aspak pishman. Ndërsa për stafin mendoj se ka kontribuar shumë dhe ka aq profesionalizëm dhe duhet të që ruhet puna e tij, të ruhet vazhdimësia e tij në shërbim të qytetarëve.
Gazetarja: Çfarë do t’i thoni pasardhësit tuaj në këtë post?
Albert Brojka: Do t’i uroja punë të mbarë dhe të punonte sa më shumë për Shqipërinë.
Askush tjetër në Bashkinë e Tiranës nuk pranon të flasë për votimet e djeshme dhe as për largimin e kryetarit aktual. Megjithatë puna vazhon normalisht për ta deri në ardhjen e kryetarit të ri./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora