Fitorja e Kupës së Italisë për herë të 15-të në histori nuk ka kaluar pa trazira te Juventusi. Shkak është bërë trajneri, Massimiliano Allegri, i cili ka shpërthyer duke ngritur zërin me zyrtarët e klubit dhe drejtorin e gazetës “Tuttosport”, e afërt me bardhezinjtë.
Fundi i aventurës tek torinezët duket se nuk po përjetohet mirë nga ana e Allegrit, që tashmë rrezikon ta ndërpresë marrëdhënien me skuadër më shpejt nga sa pritej. Mediat raportojnë se Allegri nuk do të jetë në stol në dy ndeshjet e fundit, pozicion që do t’i besohet Paolo Montero, trajneri aktual i 19-vjeçarëve të bardhezinjve.
56-vjeçari ka ende kontratë me klubin e Juventusit deri më 30 Qershor 2025. Marrëveshja mes dy palëve është nënshkruar në vitin 2021 mbi bazën e 7 milionë Eurove neto në sezon. Allegri gjendet prej kohësh në qendër të kritikave, jo për shkak të stilit të lojës, por për atë që bardhezinjtë kanë marrë në fushë.
Vetëm 15 pikë të grumbulluara në 15 ndeshjet e fundit, duke rrezikuar edhe kualifikimin në Champion League shkaktuan pakënaqësi në ambientin torinez. Tifozët vlerësojnë italianin, gjithsesi, e ardhmja mbetet ende një mister. Juventusi ka kontaktuar trajnerin e Bolonjës, Tiago Mota si pasues të Allegrit duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Klan News