Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndërtimi i rrugëve vuan nga cilësia e ulët. Ministri i Transporteve Spartak Poçi në analizën e punës 6 mujore, ka kritikuar ashpër punën e zbatuesve, qoftë edhe ata të huaj, për cilësinë e dobët të punimeve. Ministri ka përmendur disa akse rrugore, si Lushnje-Fier, Rrogozhinë-Lushnje dhe Vorë-Durrës, punimet e të cilave janë kthyer mbrapsht.

Spartak Poçi:- “Ne nuk duhet të lëmë që në rrugët tona të tallen kompanitë e ndryshme, të bëjnë punë me cilësi të keqe, të punojnë të harxhojnë kohën ton dhe të Perëndisë për të bërë punë të këqija, apo të përqendrohen këto kompani 20 vjet për të mbaruar një copë rrugë”.

Administrata nuk ka qenë e aftë sipas Poçit, të thithë investime të huaja në infrastrukturë, për shkak të mungesës së projekteve të gatshme.

Spartak Poçi:- “Rënia e investimeve të huaja, sidomos të financuara nga donatorë të huaj për shkak se nuk janë gati projektet. Pra jemi investuar shumë në implementimin e projekteve të përgatitura më parë, por kemi një boshllëk, një ngadalësim të përgatitjes së projekteve që na duhen për të ardhmen”.

Administrata e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, sipas Poçit, nuk ka prioritete, për akset që duhen të financohen më shpejtë. Financimet dhe zbatimi i tyre sipas tij është i pjesshëm. Ministri i Transporteve ka denoncuar një rast flagrant, mungesën totale të një aksi rrugor në segmentin Korridorit 8. Kështu dhe pse pas 10 ditësh ky aks do përfundojë dhe do të përurohet, mungon segmenti rrugor Elbasan-Librazhd.

Zyrtarët e transporteve shprehen, se kanë çelur fondet për të gjithë planin e parashikuar, por niveli i realizimit financiar nuk është i plotë. Realizimi i financiar nuk është i plotë si në investime totale në infrastrukturë, ashtu dhe për zërin ndërtim rrugësh në veçanti./tvklan.al