Gjermania ka rikofirmuar mbështetjen për Shqipërinë në procesin për integrim evropian.
Një mbështetje që vjen në një moment të rëndësishëm kur Gjermania ndodhet në procesin e konstituimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 27 Shtatorit. Mbledhja e Bundestagut të ri është parashikuar në 28 Tetor.
Megjithatë kjo nuk duket të ketë shpërqendruar vëmendjen gjermane për Shqipërinë që ndodhet në pritje të procesit për shqyrtim të statusit për vendin kandidat në BE.
Ky fakt konfirmohet nga Margrit Wetzel anëtare e Bundestagut gjerman njëkohësisht drejtuese e projektit të Bundestag-ut për praktikën ndërkombëtare parlamentare.
Margrit Wetzel: “Unë mendoj se është në dorën e gjithsecilit prej vendeve të vlerësojnë momentin, se kur duhet të bëjë kërkesën e tij për anëtar të BE. Mendoj se Shqipëria deri sa të pranohet anëtare e BE, duhet të ecë dhe të bëjë progrese të caktuara. Mendoj që është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt integrimit.”
Gjatë konferencës se përbashkët për shtyp me kryeparlametaren Topalli, Wetzel foli dhe mbi bojkotin e opozitës. Në këtë rast përfaqësuesja e Bundestagut gjerman kujtoi rëndësinë që merr zbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga progres- raporti i BE, proces që sikundër tha nuk mund të përmbushet pa praninë e opozitës në Kuvend.
Margrit Wetzel: “Unë doja të theksoja faktin që pjesëmarrja e opozitës apo mbledhja e parlamentit në numrin e tij të plotë, është vërtet tejet e rëndësishme. Fakti që Progres Raporti i publikuar së fundi kërkon realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, e bëjnë të domosdoshme mbledhjen e parlamentit në numrin e tij sa më të plotë.”
Kryeparmentja Topalli nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dy palësh.
Jozefina Topalli: “Bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve midis dy parlamenteve tona është shumë themelore. Aq më tepër që Gjermania është një ndër vendet që ka mbështetur Shqipërinë në proceset e saj integruese në terma politikë ekonomik etj, më shumë se çdo vend tjetër.”
Në këtë vizitë të saj në Tiranë, Margrit Wetzel shoqërohej nga zëvendës Presidenti i Universitetit të Humbold-it, si dhe Drejtoresha e Departamentit të Bundestagut.
Vizita bëhet në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin prestigjioz të Humbold-it nën patronazhin e kryetarit të Bundetagut, në një projekt që u jep mundësi studentëve shqiptarë të kryejnë praktikën në Bundestagun gjerman./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi