Në OKB është paraqitur një ankesë ndaj Rusisë, e cila akuzohet se ka organizuar një sulm të qëllimshëm në një spital në Sirinë veriore. Rasti i paraqitur në Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë ka të bëjë me bombardimin e Spitalit Kirurgjik Kafranbel në provincën Idlib më 5 maj 2019.
Iniciativa për Drejtësi e Shoqërisë së Hapur në një dalje për mediat tha: Organizata jonë mbështet ankesën e depozituar në OKB, pasi është shumë e rëndësishme. Është hera e parë që Rusia bëhet përgjegjëse për shkeljet e kryera në Siri.
Sipas informacioneve bëhet e ditur se ankesa është bërë nga një burrë sirian i mbështetur nga disa aktivistë për të drejtat e njeriut. Pasi një klauzolë në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike lejon qytetarët individualë të ngrenë çështje. Mësohet se siriani që depozitoi ankesën humbi të gjithë pjesëtarët e familjes së tij si pasojë e sulmit në spital që mendohet të jetë bërë nga Rusia.
Ndërkaq shteti rus mohon të ketë organizuar një sulm të qëllimshëm kundrejt Sirisë, kujtojmë se më parë ajo nisi një fushatë mbështetëse për ta ndihmuar në valën e luftës në vitin 2015. Por provat e hollësishme të paraqitura në komitetin e OKB-së tregojnë se spitali, i cili ishte i mbushur plot me pacientë, u bombardua katër herë për së paku 20 minuta.
Sulmi i qëllimshëm i një institucioni mjekësor është, sipas ligjit ndërkombëtar, një krim lufte. Ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se sulme të tilla kanë ndodhur rregullisht gjatë luftës civile siriane dhe konflikteve të tjera.
Vetë hetimi i OKB-së për konfliktin ka dokumentuar krime të mundshme të luftës të përhapura, duke përfshirë bombardimet pa dallim nga forcat ruse dhe siriane.
Në lidhje me rastin që konsiderohet krim lufte e vetmja gjë që mund të bëjnë 18 anëtarët e komitetit të zgjedhur nga vendet anëtare të OKB-së është të nxjerrin një vendim nëse sulmi në spitalin Kafranbel ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar. /tvklan.al