Arben Demeti, kandidat i Partisë Aleanca Demokratike për bashkinë e Tiranës ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Në intervistën e realizuar më datë 16 Shtator të vitit 2000, Demeti u shpreh se kandidatura e tij për bashkinë e Tiranës është bërë me kërkesë të partisë që ai përfaqësonte, Aleanca Demokratike.

“Unë dua të bëj punën time pa e reklamuar shumë. Edhe pse puna që kam bërë ka qenë e madhe, pasqyrimi i saj ka qenë i vogël, ndërkohë që ka shumë të tjerë që edhe pse kanë mjaft gabime në punë, e kanë pasqyruar atë si shumë pozitive. Kam kandiduar shumë seriozisht në këto zgjedhje lokale dhe  me kërkesë të partisë kam kandiduar për ta përfaqësuar denjësisht Aleancën Demokratike. Është një moment i veçantë në këtë legjislaturë të pushtetit vendor sepse jemi në prag të një revolucioni për pushtetin vendor për arsye të reformës së dencentralizimit. Posti i kryetarit të bashkisë është shumë i vështirë, por në momente të vështira, kur shikoj që mund të kontribuoj për qytetin tim kam kandiduar për të marrë përgjegjësinë për të bërë këtë punë me rendimet shumë të madh. Duke parë dy kandidatët e tjerë të dy partive të madha, për të cilët mendoj se janë larg të qenit kryetar bashkie, ishte një motiv më shumë për të ofruar një kandidaturë të përshtatshme”, tha Demati./tvklan.al