Reformat ligjore dhe gjyqësore në Shqipëri janë diskutuar gjatë konferencës së tretë të zhvilluar para disa ditësh në selinë e Komisionit Europian në Bruksel. Rezultatet e kësaj konference i ka bërë publike në një konferencë për shtyp ministri i Drejtësisë Arben Imami shoqëruar nga Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi dhe ish ministri i Drejtësisë Thimio Kondi.

Në konferencën e Brukselit konfirmoi Imami u ra dakort për 14 pika të rëndësishme. Në kuadër të planit të veprimit, autoritetet shqiptare me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, kanë arritur progrese në vendosjen e shtetit ligjor nëpërmjet ngritjes së një kuadri institucional dhe legjislativ për funksionimin e shtetit ligjor në përputhje me standartet europiane.

Për më tepër në Bruksel u ra dakort nëpërmjet autoriteteve të larta të Komisionit Europian, të KE-së dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë sonë që rishikimi i ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, miratimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Policinë Gjyqësore si dhe rregulloren që lidhet e organizimin e gjykatave të jenë primare të reformës institucionale dhe normative në drejtësinë shqiptare./tvklan.al