Ori, konkurrenti i spektaklit të talenteve “X Factor Albania” në Tv Klan nuk e sheh ardhjen e tij në këtë kompeticion vetëm si një vend që ka arrritur ta fitojë, por edhe si kapërcim pengesash, pasigurish brenda vetes që i janë grumbulluar që nga fëmijëria. Në insertin e shfaqur përpara performancës së tij, Ori rrëfen për bullizimin e përjetuar dhe arritjen deri në pikën sa të urrente veten.
Ai shprehet se të njëjtët njerëz që e kanë bërë ta ndiejë këtë, tani ia kanë kthyer me fjalë të mira. Ardhja në “X Factor Albania” simbolizon njohjen e vetes për të.
“Muzika është një ëndërr shumë e bukur, por sa më shumë i afrohesh kësaj ëndrre, aq më shumë u largohesh gjërave të tjera. Gjithë njerëzit që ti konsideron të dashur, të gjithë largohen. Kur ti del në skenë, nuk ka vetëm duartrokitje. Jam përpjekur gjithmonë, tërë kohën të strukem në këto kufizimet që ka shoqëria, rruga apo shkolla. Është realisht shumë e vështirë sepse nuk është se po bëj ndonjë gjë të gabuar në fund të ditës, thjesht po bëj atë që di të bëj më mirë dhe që dua të bëj me jetën time. Të gjithë ata njerëz që më përpara më bullizonin, më ngacmonin apo më kanë bërë ta urrej veten time për faktin që kam një zë të hollë dhe ndryshe nga të tjerët, janë pikërisht ata që tani më lavdërojnë dhe më thonë që kam një zë të rrallë. Ardhja në ‘X Factor’ më ka bërë ta kuptoj, ta njoh veten time dhe mbi të gjitha, ta dua”.
I pyetur më gjatë në skenë për këtë rrëfim tijin, Ori thekson sërish se kjo eksperiencë e ka bërë të kuptojë vendin e tij.
“Unë dua të flas jo vetëm për veten time, por mendoj për të gjithë fëmijët, sidomos për të gjithë ata që merren me art dhe ndihen ndryshe. Për mua personalisht, eksperienca në X Factor më ka bërë të kuptoj vendin timë në art, në skenë por dhe vendin tim në shoqëri. Është shumë e rëndësishme, të paktën kjo për mua ka qenë jo vetëm një ëndërr, por ka qenë një mësim shumë i rëndësishëm për jetën”.
Konkurrenti përshkroi më hollësisht se cilat aspekte tijat i janë vënë në dukje që nga fëmijëria duke e kthyer në objekt bullizimi.
“Mua për shembull që nga pjesa e zërit që e kam të hollë, që flas lart, këndoj lart, kam studiuar violinë për 8 vite dhe shoqëria ime e kanë parë violinën si instrument specifikisht për femra kështu që ka qenë e vështirë të bësh shokë kur e shohin çdo gjë që bën ti, të gabuar. Veç fakti që unë marr frymë është mjaftueshëm arsye për t‘u bullizuar. Mund ta them vetëm një gjë? Personalisht kam mësuar dhe kuptuar që shoqëria, bota, jeta do të gjejë gjithmonë arsye për të të bullizuar, për të të ulur, për të të bërë të ndihesh keq. E rëndësishme ime që për sa kohë nuk i bëni keq njeriu dhe bëni atë që ju bën të lumtur, jeni mëse okej”, tha Ori duke e mbyllur fjalën e tij me këtë mesazh./tvklan.al