Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policia e Durrësit ka arrestuar mbrëmjen e djeshme katër persona, mes të cilëve dy oficerë, për përfshirjen e trafikut të qenieve njerëzore. Të arrestuarit janë B. Q. 30 vjeç, punonjës i SHISH, djali i një oficeri në Ministrinë e Rendit. D. M. 41 vjeç inspektori i komiasariatit të policisë së portit, S. Sh. 32 vjeç dhe A. K. 35 vjeç, të katër banues në Tiranë.

Arrestimi erdhi pas rrëfimit në polici të dy vajzave, njëra nga Durrësi e tjetra nga Berati, të cilave u ishin siguruar dokumentet e vizat false për në Gjermani, por gjatë kontrollit në port janë pikasur nga policia e s’kanë mundur të largohen. Vajzat kanë treguar, se për të kaluar me traget, kanë paguar rreth 3 mijë euro secila.

Ende nuk është e qartë nëse vajzat do të ndihmoheshin thjesht për të kaluar kufirin, apo do të shfrytëzoheshin më pas për qëllime prostitucioni, gjë që rëndon statusin juridik të të arrestuarve, duke shtuar akuzat./tvklan.al