Përveç përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, në 9 vitet e arratisë, Jani Aliaj, ndryshoi edhe pamjen e tij, siç duket edhe në këtë foto.

Imazhi i fundit publik i 47-vjeçarit ishte me mjekër të kuruar dhe pa flokë. Por i fotografuar pas arrestimit në Greqi disa ditë më parë, i dënuari përjetë për vrasjen e Elton Çiços, shfaqet me flokë të gjatë.

Ai u arrestua në 3 Janar në Athinë, ku efektivëve të policisë i paraqiti dokumente me identitet tjetër, që nga verifikimet rezultuan të falsifikuara.

Pas identifikimit, Aliaj u vu në pranga dhe Policia e Shtetit tha se po punon për ekstradimin e tij në Shqipëri në mënyrë që të vuaj dënimin.

Si pasojë e një hakmarrje të nisur shumë herët në shtetin helen, Aliaj në 1 Maj të 2016-ës, i veshur me rroba sportive dhe një kapele në kokë, u fut në një lokal në ish-Bllok dhe qëlloi me 2 plumba në kokë Elton Çiçon.

Për ngjarjen ai u dënua në vitin 2018 në mungesë, teksa për vite me radhë ishte në listat e më të kërkurave në vend.

Për shkak të përfshirjes së tij në krim, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK në 2023, konfiskoi atij 7 pasuri të cilat nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

Tv Klan