Pas rebelimit politik te 8 anëtarëve të kryesisë së Partisë Socialiste, të cilët kërkuan mbledhjen urgjente të kryesisë së PS-së si dhe transparencë publike në kongresin e së shtunës. Selia rozë është përballur me një tjetër deklaratë të fortë politike.

Asambleja Socialiste e Kuçovës reagon ashpër ndaj anëtarit të kryesisë Erjon Braçe, mbi situatën para dhe pas zgjedhore nga ana e tij.

Sipas një deklarate të kësaj asambleje të firmosur sot nga kryetari Ymes Hoxha, thuhet se  qëndrimi i Braçes po sjell pasoja dhe probleme në radhët e anëtarësisë socialiste në këtë bashki.

Në këtë deklaratë citojmë se: Me keqardhje dhe indinjatë të madhe vërejmë se kandidati për deputet për qarkun e Beratit, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Erjon Brace, para fushatës  gjatë dhe pas fushatës ka mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht të keq dhe denigrues ndaj pushtetit vendor në bashki, stafit të saj drejtues dhe veçanërisht ndaj kryetarit të bashkisë Artur Kurti duke bërë deklarata dhe intervista të turpshme për një përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste, duke aluduar dhe akuzuar për veprimtari jo korrekte në drejtimin e bashkisë Kuçovë, në takime me qytetarët dhe masmedia.

Në deklaratë përmenden dhe individë që deklarojnë se nuk ju behet vonë për humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhjet e Qershorit, vetëm e vetëm që ata të arrijnë qëllimet e tyre të ngushta personale në dëm të elektoratit socialiste të Kuçovës. 

Grupi i këshilltarëve socialist të Kuçovës shkoi edhe më larg duke akuzuar Erjon Braçen se në zgjedhje nuk ka qenë kundërshtari politik i Partisë Demokratike dhe aleatët e saj , por partia G99 dhe bashkia e Kuçovës dhe drejtuesit e saj./tvklan.al