Kristjan Asllani konsiderohet si një nga mesfushorët me më potencial në Serie A.
Lojtari i Interit pëlqehet së tepërmi nga trajneri i Atalantës Xhan Piero Gasperini që e kërkon në Bergamo në sezonin e ardhshëm. Tekniku 66-vjeçar është gati që t’i besojë lojtarit kuqezi mesfushën në sezonin e ardhshëm.
Asllani nuk u aktivizua shumë vitin e shkuar futbollistik, e prapë te bergamaskët besojnë shumë tek aftësitë e tij.
Në total, në Serie A ai luajti 772 minuta ku shënoi edhe 1 gol, e dha 2 asiste.
Për momentin ai konsiderohet si i pashitshëm për drejtuesit zikaltër Marotta dhe Ausilio që besojnë te cilësitë e tij.
Por kampionët e Ligës së Europës nuk do të heqin dorë për lojtarin e përfaqësueses në këtë merkato vere. Nëse shitja ndodh, Asllani do të gjejë te bergamaskët mbrojtësin kuqezi, Berat Gjimshiti.
Por në Serie A një emër tjetër që po përmendet është Rei Manaj. Vetë trajneri i Sivasporit Bylent Ujgun the per NTV SPOR se për lojtarin kuqezi interesimi është i madh.
Për Manajn kanë ardhur oferta nga Italia e Franca, ndërsa ka edhe dy klube të mëdha turke që duan shërbimet e tij. Së fundmi, në garë është futur edhe Como e sapongjitur në Serie A. Në vitin futbollsitik 2023/2024, 27-vjeçari shënoi 18 gola në Superligën turke.