Luis Enrique mund të rikthehet sërish në La Liga. Sipas asaj që raportohet në mediat spanjolle, 54-vjeçari po lakohet si pasues i Diego Simeone në stolin e Atleticos së Madridit. Pas 14 vitesh si trajner i “Los Colcheoneros”, argjentinasi shihet si i sakrifikuari për shkak të momentit të vështirë që po kalon skuadra.
Emri i ish-trajnerit të Spanjës ka qenë edhe më parë në fokusin e kryeqytetasve. Një problem në këtë pikë mbeten kontratat e dy trajnerëve. Diego Simeone ka rinovuar marrëveshjen me spanjollët deri në vitin 2027, ndërsa të njëjtat kushte duket se ka rënë dakord për të firmosur edhe Luis Enrique me PSG.
Por për momentin, rinovimi nuk është zyrtarizuar, duke lënë të hapur firmën me Atleticon e Madridit. Këtë të mërkurë, në Parc des Princes, Luis Enrique dhe Simeone do të përballen edhe një herë me njëri-tjetrin në një ndeshje vendimtare për të dy, pasi PSG është i detyruar të fitojë pasi ka grumbulluar vetëm katër pikë nga nëntë të mundshme në Champions League dhe Atlético ka pësuar dy humbje në tre ndeshjet e para të fazës së grupeve.
Bilanci është i favorshëm për asturianin, i cili në 14 përballje kundër homologut të tij argjentinas, ka fituar 9, 2 barazime dhe vetëm 3 ka humbur.
Klan News