Milani mori një fitore të madhe ndaj Real Madrid në transfertë, me rezultatin 3-1, në një ndeshje spektakolare.

Pas takimit, tekniku i madrilenëve, Carlo Ancelotti, u shfaq i zhgënjyer, sidomos nga paraqitja e mbrojtës së tij.

“Ne nuk e pamë reagimin e duhur dhe të njëjtat probleme mbeten që nga humbja ndaj Barcelonës. Na mungon stabiliteti në mbrojtje, shpesh jemi të çekuilibruar në kundërsulm. Duhet ta rregullojmë këtë, duhet të jemi më të bashkuar dhe ta fitojmë topin”, deklaroi Ancelotti.

Në krahun tjetër, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, u shfaq shumë i lumtur, duke thënë se është më e vështirë të luash ndaj skuadrave të kampionatit italian, sesa ndaj Real Madrid.

“Fituam sepse lojtarët kishin guxim, ata erdhën këtu pa u frikësuar nga asgjë, vetëm të etur për të bërë lojën tonë dhe triumfi është i gjithi i ekipit, jo i imi. Vuajtëm së bashku dhe fitorja është e merituar. Ndeshjet në Champions janë krejtësisht të ndryshme nga ato në Serie A. Është më e vështirë të luash kundër Monzas ose Cagliarit sesa kundër Real Madridit, për shkak se luajnë të mbyllura. Megjithatë Real Madrid është ndoshta ekipi më i mirë në botë”, u shpreh Fonseca.

/tvklan.al