Avokati i Fredi Belerit, Geni Gjyzari deklaroi para ambienteve të SPAK se vendimi i sapo marrë nga Gjykata është politik dhe me “porosi të kryeministrit Rama”.


Ai theksoi se gjatë gjithë seancës kryetari ishte në tension dhe i ndërpreu fjalën kryebashkiakut të Himarës. Sipas Gjyzarit, është e padëgjuar që t’i hiqet e drejta e fjalës të pandehurit.

“Ju e dëgjuat deklaratën e zotit Beleri, diskutimin përfundimtar, nëse shihni një moment sulm si e artikuloj kryetari i seancës, e ndërpreu diskutimin e tij për të transmetuar tensionin jashtë procesit, e solli në proces. Nuk na la të dyshonim që do dënohej me dy vjet, tensioni që rrezatohej gjatë gjithë seancës. E padëgjuar të ndërpritet fjala e të pandehurit, është vendim e dënim politik. Siç e porositi kryeministri, ashtu veproi dhe kjo gjykatë.”

Më tej ai shtoi se Prokuroria nuk solli asnjë provë kundër të akuzuarit.

“Pafajësia në radhë të parë, prezumimi, provat i sjell Prokuroria, nuk solli asnjë provë, ne e provuam që aktet janë të gjitha të falsifikuara. Është ndjekur nga Policia 4 ditë pa vendim prokurorie, ky është skandal!”.

Avokati e përfundoi prononcimin e tij duke thënë se vendimi do të ankimohet./tvklan.al