Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ambasadori shqiptar në Athinë do të pajiset me një procedurë të veçantë, që nëpërmjet një avokati privat, të përfaqësojë familjen Bytyçi përpara drejtësisë në Greqi. Rasti i 18 vjeçarit shqiptar, i vrarë pak ditë më parë në tokën greke, ku sapo kishte shkelur si emigrant është pasuar deri tani dhe nga të tjera keqtrajtime të dhunshme.

Një shtetas shqiptar nga Gramshi është rrahur në kufi, në tentativë për të kaluar kufirin dhe pse ishte plotësisht i pajisur me vizë dhe dokumente të rregullta.

Avokati i Popullit Ermir Dobjani është takuar së fundmi me pjesëtarë të familjes së Vullnet Bytyçit, nga Myçhasi i Kukësit. Dobjani ka informuar menjëherë pas ngjarjes, Avokatin e Popullit në Greqi, duke kërkuar që ligjërisht të ndiqet çështja për dënimin e autorit të krimit, ku mbeti pa jetë 18 vjeçari.

Ndërsa në bisedë me familjarët e të ndjerit, Dobjani u ka premtuar se do t’i ndihmojë në përfaqësimin ligjor në shtetin grek, ku gjykatës do t’i kërkohet dënim maksimal për fajtorin, si dhe një dëmshpërblim për familjen e varfër të 18 vjeçarit./tvklan.al