Sezoni turistik i këtij viti, edhe pse nuk është mbyllur plotësisht, mund të konsiderohet një sukses. Kështu u shpreh Zv/Kryeministrja Belinda Balluku gjatë konferencës për sezonin turistik veror.
“Kur nisëm punën kemi patur edhe disa parashikime, si numri automjeteve që do përshkonin rrugët e reja apo turistët nga ajri. Por të gjitha janë tejkaluar me disa fish. Krahasimet tona janë nga viti në vit, jo me pesë vjeçar. Janë përpunuar 53 120 avionë, 44.5% më shumë krahasuar me 2023. Parashikimet deri në fund të vitit janë 10.4 mln pasagjerë. Por jemi të sigurt se edhe kjo shifër do tejkalohet. 69 mijë fluturime parashikojmë të mbyllet ky vit. Në një ditë të vetme kemi patur 45 100 pasagjerë. Numri i destinacioneve ka ndryshuar, gjithashtu. Kemi patur këtë vit 136 destinacione të reja”.
Ndërsa ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, nënvizoi se në vëmendje të vizitorëve të huaj kanë qenë edhe zonat e mbrojtura e sidomos Agroturizmi.
“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milionë vizitorët e siteve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në Agroturizëm dhe kërkesa shumë e lartë për të qenë në këtë treg, ndërsa falë strategjisë së Agorturizmit, synimi është që potencialet e këtij sektori të përkthehen në 1000 njësi deri në vitin 2030”.
Ministri Blendi Gonxhja bëri një panoramë të aktiviteteve kulturore dhe artistike të cilat kanë shënuar rritje me mbi 150% gjatë 2024.
“Kemi organizuar mbi 600 evente artistike e kulturore në mbarë vendin, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme prej 150% krahasuar me vitin e kaluar. Shfaqje, koncerte, eksperienca inovative e gjithëpërfshirëse dhe ekspozita të hapura për publikun kanë sjellë një mozaik të larmishëm artistike argëtues për mbi 500,000 spektatorë”.
Sipas shifrave zyrtare rreth 9,7 milionë vizitorë janë regjistruar nga Janari në Shtator 2024, duke arritur pothuajse gjithë bilancin e vitit të shkuar me mbi 10 milionë turistë.
Klan News