Zv.kryeministrja njëherazi ministre e Infrastukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, inspektoi punimet në lotin e 6 të unazës së madha, e cila lidh zonën e Dajtit.
Sipas ministres Balluku deri më tani janë kryer mbi 70% e punimeve të unazës, ndërkohë që në këtë lot, për të shmangur prishjen masive të banesave gjurma e punimeve ka ndjekur përroin e Gjerozës.
“Ne kemi zgjedhur pikërisht për të qëndruar në shtratin e përroit pasi nëse do të shkonim majtas apo djathtas intensiteti i prishjes së banesave do të ishte shumë i lartë. Autostradë, rrugë urbane të kategorisë A me shpejtësi 140 km/h. Në çdo rast ne kemi vënë një afat që duhet të përfundojë para mbarimit të këtij viti.”
Sipas Ballukut përfundimi i Unazës së Madhe do të sjellë një reduktim të ndjeshëm të trafikut në Tiranë, ndërkohë që do të lidhet dhe më të gjitha akset që lidhen me kryeqytetin.
“Një objektiv tjetër në infrastrukturën urbane që ndërlidhet në mënyrë moderne me të gjithë pjesën e infrastrukturës kombëtare që janë autostradat që vijnë të gjitha në Tiranë apo daljet nga kryeqyteti. E rëndësishme është që të ruajmë të njëjtën linjë të sinjalistës e mobilimit urban pra ndriçim, gjelbërim dhe gjithçka tjetër.”
Ministrja Balluku tha se e gjitha linja e re e tensionit të lartë në këtë segment do jenë nëntokësore.
Klan News