Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ishte ai që i ktheu përgjigje kryeministrit Edi Rama në lidhje me bonusin e pensionistëve. Ai tha se bonusi është një shpërblim që çdo vend europian e jep në shenjë solidariteti. Por për Bardhin, Rama nuk e ka vjetor bonusin e fundvitit. Sipas tij, kreu i qeverisë e jep bonusin për efekt të zgjedhjeve.
“As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin që ka ardhur në vitin 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025 sepse nuk ka ndërmend ta japë. E ka thënë në 2020 për efekt të zgjedhjeve 2021 po e jep në 2024 për efekt të zgjedhjeve të 2025. Mendon se me këtë politikë do mashtrojë shtresën më në nevojë, shtresën e pensionistëve”, tha Bardhi.
Ai hodhi akuza ndaj qeverisë se buxheti është i përcaktuar për një dorë njerëzish dhe jo për qytetarët.
“Buxheti është për 5 individë dhe ti me ta e ke sqaruar gjerë e gjatë duke pirë raki e duke ngrënë qofte”, tha ai.
Më tej shtoi se gjatë fjalës së tij Rama nuk tha asgjë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Megjithatë e paralajmëroi se nuk do të bien në kurthin e kreut të qeverisë. Këtu e kishte fjalën me retorikën e përdorur nga kryeministri drejt opozitës, ndërsa Bardhi tha se demokratët në parlament do të flasin për buxhetin e nuk do të bien në nivelin e tij.
“Në fakt do merremi me buxhetin se ndryshe nga këtu që je këtu për të sulmuar opozitën që të mbash me krimin e organizuar karrigen, ne jemi këtu për ti shërbyer qytetarëve. Prandaj nuk biem në nivelin tënd. Se kush është mbeturinë, se kush është i palarë, e se kush qelbet erë tre kilometra nga vendi që është atë e di çdo njeri që të ka takuar ty. Shko prit njëherë thonjtë, shko lahu, kurohu dhe pastaj hajde bëj kryeministrin e Shqipërisë”, tha Bardhi./tvklan.al