Më 4 Gusht do të zhvillohen zgjedhjet e Himarës. Datë kjo e dekretuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj i cili është konsultuar për vendimin me kreun e KQZ.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi. Ky i fundit e quan një “teatër të koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar”.

Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.  Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjesimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit. Presidenti i Republikës Bajram Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjell si vartës i rëndom i Edi Ramës”, thotë Bardhi në reagimin e tij.

Kujtojmë se Kreu i Shtetit u njoftua sot nga Këshilli i Ministrave për vakancën e krijuar në Bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga Alfred Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.

/tvklan.al