Shqipëria vijon të jetë e para në Europë për rritjen e trafikut të udhëtareve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Të dhënat bëhen të ditura nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, ku Shqipëria kryeson renditjen për fluksin dhe rritjen e numrit të pasagjerëve gajtë muajit Korrik.

Vendi ynë ka shënuar një rritje me mbi 200 % të numrit të pasagjerëve gjatë muajit Korrik 2024, krahasuar me Korrikun e 2019. Në renditjen e 47 vendeve të Europës, Shqipëria lë pas edhe vende te njohura në turizëm si Greqia, Portugalia, Turqia, Spanja apo Italia.

Të dhënat janë komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk ka lënë pa ironizuar edhe kritikët që sipas tij po nxjerrin nga goja gjithëfarë çudirash.

“Shqipëria kryeson me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200% të numrit të pasagjerëve, e cila është pasqyrë shumë e qartë e “boshatisjes” së Shqipërisë nga turistët këtë vit. Është e habitshme po jo edhe aq, që ky sukses i cili po e ngre vazhdimisht imazhin e Shqipërisë në botë, përveçse po sjell vlera të reja të shtuara për ekonominë, disa shqiptarëve mes nesh u acaron nervat dhe u nxjerr nga goja gjithëfarë çudirash”.

Sipas të dhënave zyrtare, aeroporti i Rinasit në 8 muajt e parë të këtij viti ka regjistruar 7 milionë e 233 mijë pasagjerë, ose 56 për qind më shumë se e njejta periudhë e vitit të shkuar kur u regjistruan afro 4.6 milionë pasagjerë.

Tv Klan