Partia Demokratike nis turin “Rrugëtimi për Shqipërinë”
Partia Demokratike nisi turin “Rrugëtimi për Shqipërinë” këtë të hënë. Kreu i selisë blu takimin e parë e zhvilloi me të rinjtë e Elbasanit.
Sipas tij, Shqipëria ofron mundësi shumë të pakta për punësim. Shkak për këtë është bërë modeli i gabuar që është ndërtuar këto vite në vendin tonë tha Basha.
Ai theksoi se PD e ka përqendruar luftën e saj tek ndryshimi i këtij modeli prandaj kërkon ndarjen e politikës nga krimi. Kreu i PD-së premtoi se në pushtet, partia e tij do t’i japë bursa 100% studentëve që vijnë nga familje me të ardhura minimale.
“Garancia e parë që do ju jap sot është që PD kur të vijë nesër në pushtet nuk do të ndërtojë institucione ekskluzive ku fitimtari i merr të gjitha. Do i trajtojmë me respekt edhe ata që votuan opozitën. Institucionet do të jenë të hapura për të gjithë, politikat tona po kështu, duke nisur me politikën e para pa të cilën vendi nuk ka të ardhmen, politikën e arsimit. Padyshim që tarifat janë të papërballueshme. Çfarë duhet bërë? Për ne prioritet numër një është që tarifat për studentë që vijnë nga familje me të ardhura minimale do të financohen me masën 100% nga buxheti i shtetit. Niveli minimal i të ardhurave është 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Kush vjen nga këto familje me të ardhura nën 640 mijë lekë do të ketë 100% bursë me PD nesër në pushtet. Kush ka të ardhura mbi 640 mijë lek në muaj, do të fitojë 50 % e tarifës përsëri nga buxheti”, tha Basha, i cili më tej shtoi se këto para duhen investuar në degë të cilat i kërkon tregu i punës./tvklan.al