Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, në takimin me banorë të komunave Shalës, Grekan dhe fshatit Derishan, ka bërë të ditur se brenda këtij viti do të përfundojë rruga Belsh-Kuçovë, 14km e gjatë. Një investim prej 590 milion lekësh dhe po brenda këtij viti do të përfundojnë 13km e rrugës që lidh Pojovën me Belshin, një investim prej 390 milion lekësh.

Sot tha Basha, falë kësaj mazhorance Shqipëria ka ndryshuar nga jugu në veri, është zhvilluar dhe i është bashkuar familjes euroatlantike.

Lulzim Basha: “Edhe në këtë fshat, si kudo në këtë rreth, si kudo në këtë qark shpresa e shqiptarëve për një jetë më të mirë, besimi i shqiptarëve më një të ardhme më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre përfundimisht është ulur këmbëkryq në çdo vatër dhe në çdo familje.”

Anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe së shpejti liberalizimi i vizave tha Basha janë meritë vetëm e reformave të kësaj maxhorance.

Lulzim Basha:Kemi edhe një model tjetër, një model ku jepen 28 leje dhe 19 i merr një studio. Jepen 18 punë publike dhe 14 i merr një firmë. Ku paratë përfundojnë në xhepat dhe kontot e disa personave, të cilët pastaj financojnë media, të cilat censurojnë dhe bëjnë propagandë si njëherë e një kohë është modeli që po mundohet të rikthehet i paketuar si një model i ri. Si mundet një forcë politik e cila synon pushtetin, zëdhënësit e saj të dilnin dhe të thonë nuk duhet t’i rrisni rrogat dhe pensionet, jo ne kemi një filozofi të qartë, përkushtim, ndershmëri, punë.”

150 gjimnazistët e fshatit Derishan krahas ambienteve të reja të mësimit kanë edhe kabinetet informatike me internet,  Basha ka theksuar se në 4 vitet që vijnë rritja e pagave dhe pensioneve asfaltimi i çdo pëllëmbe rruge në fshat e qytet si dhe lufta kundër varfërisë do të jenë prioritet i qeverisë së djathtë./tvklan.al