Shqipëria është në një situatë të favorshme politike që do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave. Gjatë një raportimi në komisionin parlamentar të politikës s jashtme për liberalizimin e vizave për anëtarësimin në NATO,  ministri i Jashtëm Lulzim Basha, tha se po punohet për të miratuar një dokument afatshkurtër për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Lulzim Basha: “Ne jemi të gatshëm t’i përmbahemi një kalendari kohor logjik edhe pse siç është e kuptueshme proceset evropiane nuk maten me data, por me substancë, por bëhet fjalë për një proces afatshkurtër. Le të përmbushim detyrimet që rrjedhin nga ky dokument, çka do të na mundësojë të përqendrojmë përpjekjet dhe nismat tona edhe më konkretisht në zbatimin reformave të duhura për plotësimin e kërkesave të Bashkimit Evropian. Përmbyllja me sukses e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptar me pasaporta biometrike do të shënojë një moment shuam të rëndësishëm për të hedhur hapat vendimtar në lidhje me këtë objektiv.”

Por deputeti socialist dhe ish ministri i Jashtëm Kastriot Islami tha, se për ecurinë e këtyre proceseve, opozita do të japë kontributin e saj, por edhe do të monitorojë përmbushjen e kritereve që kushtëzojnë si anëtarësimin e plotë në NATO ashtu edhe liberalizimin e vizave.

Kastriot Islami: “Kërkojmë e para që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira, të ndershme, por njëkohësisht kërkojmë që të mos humbet as një minutë kohë edhe për sa i përket hapave që lidhen me integrimin e Shqipërisë në NATO. Për ne këto dy procese janë të ndërlidhura edhe në cilësi edhe për sa i përket aspektit kohor dhe kërkojmë që Shqipëria në zgjedhjet e tjera të jetë dhe anëtare e NATO-s, por njëkohësisht të garantojë si anëtare e NATO-s zgjedhje të lira, të ndershme dhe komfor standardeve ndërkombëtare.”

Ministri Basha sqaroi se të gjitha vendet e Evropës Juglindore do të vlerësohen sipas performamcës personale në procesin e liberalizimit të vizave dhe asnjë prej tyre nuk është e favorizuar në këtë proces./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Ben Haxhiaj