Kryetari i PD-së , Lulzim Basha, ka thënë gjatë një deklarate për mediat se PD i ka të gjitha skenarët për t’u përballur me çdo situatë. Basha i ktheu përgjigje pyetjes së gazetarëve se çfarë do të ndodhë nëse herë tjetër Sali Berisha vjen dhe do të hapë derën e sallës ku kryedemokrati kryen mbledhje.

“Më vjen keq që media e ka mendjen tek dyert e PD. Të jeni të sigurt që PD i ka gati të gjithë skenarët për t’u përballur me çdo situatë. I bëj thirrje autoriteteve të veprojnë mbi pjesëtarët e krimit të organizuar që ishin të pranishëm në premisat e PD-së. Kanë mjaftueshëm material për vepra penale në republikën e Shqipërisë. E sigurtë është që kanë mjaftueshëm sa i takon veprave penale të kryera në territorin e një tjetër vendi në luftën kundër krimit të organizuar që është Britania e Madhe. Fatjon Dautaj është i skeduar dhe është një figurë publike e krimit të organizuar në Britaninë e Madhe. Përtej kësaj dyert e kësaj partie do të mbeten të hapura për të gjithë demokratët që duan të bëjnë betejë për njerëzit dhe me njerëzit”, tha Basha.

Kryetari i PD-së tha se Kuvendi i 18 Dhjetorit ka marrë një vendim ku ka zgjedhur të ardhmen ndërsa Berisha është e shkuara.

“Kuvendi ka marrë një vendim, ka zgjedhur të ardhmen. Demokratët janë në betejë për të ardhmen. Sali Berisha është e shkuara”, tha Basha./tvklan.al