Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Shqipëria ka ngecur në vendnumëro me qeverisjen e Ramës. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai thotë se Shqipëria nuk ka pasur sukses në asnjë fushë gjatë kësaj kohe dhe shton se kjo gjë nuk mund të ndodhë edhe për 4 vitet e ardhshme. Basha thotë se ka plane serioze për të ardhmen e shqiptarëve.

“Të gjithë e dinë tashmë që Shqipëria ka ngecur në vendnumëro me Ramën për 8 vjet rresht dhe kjo është arsyeja pse nuk kemi sukses në asnjë fushë – as në ekonomi, as në shëndetësi, as në turizëm, as në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të ngecë në vend dhe për katër vjet të tjera me Ramën. Ka ardhur koha për ndryshim, sepse ata që e zhytën Shqipërinë në baltë nuk mund ta çojnë atë drejt suksesit. Ne kemi plane pune serioze që do të sjellin një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Më 25 prill Rama do të humbasë dhe Shqipëria do të fitojë”, shkruan Basha./tvklan.al