Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, takoi përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit e vendosi theksin tek integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
“Nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet edhe me vlerat e shenjta për ne. Mbetet për ne projekt madhor i paqes, mirëqenies dhe zhvillimit. Të angazhuar për reformat e thella dhe prioritet kryesor për të ardhmen e vendit. Integrimi Europian është e vetmja alternativë për Shqipërinë.”
Në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kreu i shtetit uroi që partitë politike në vendin tonë të gjejnë rrugën e dialogut.
“Votën e diasporës politika ia kishte borxh shqiptarëve jashtë vendit. Zgjedhjet janë test pjekurie dhe më shumë se rezultati mbeten respektimi i standardeve që garantojnë zgjedhje të lira, të drejta.”
Kreu i shtetit foli edhe për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.
“Turizmi prioritet afatgjatë për zhvillimin. Ju falënderoj për rolin tuaj dhe ju uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm.”
Presidenti Begaj falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në.
“Për kontributin e dhënë ndaj Shqipërisë, sidomos në procesin e reformës në drejtësi dhe integrimit drejt Bashkimit Europian.”
Klan News