Në pritjen tradicionale me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, kreu i shtetit Bajram Begaj teksa e cilësoi si sfidë cilësinë e dialogut politik në vend dha apelin e tij për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
“Uroj që edhe dialogu midis partive politike të kthehet në normalitet të jetës politike në vend. Zgjedhjet janë një test pjekurie dhe, më shumë se rezultati, i rëndësishëm për ne mbetet respektimi dhe zbatimi i standardeve që garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme, të drejta e demokratike.”
Presidenti ka cilësuar si një arritje faktin që në këto zgjedhje do të votojë diaspora. Ai vlerësoi edhe avancimin e vendit tonë në procesin e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.
“Hapja e negociatave është dëshmi jo vetëm e vlerësimit për reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe tregues i vendosmërisë dhe përkushtimit tonë për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë sonë evropiane. Ndaj ne jemi të angazhuar për kryerjen e reformave të thella, të cilat mbeten prioritet kryesor për të ardhmen e vendit.”
Shqipëria, sipas tij brenda pak kohësh, ka arritur të jetë partner i besueshëm dhe i dedikuar për të dhënë kontributin në Aleancën e NATO-s. Kjo duket qartë edhe në hapjen së Bazës Ajrore Taktike në Kuçovë, punën për mbarimin e Korridorit VIII, si dhe vënien në dispozicion të Aleancës të portit të Porto Romanos.
Tv Klan