SPAK kërkon deklarimin e fajtor të kryebashkiakut të Devollit, Eduart Duro, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Prokuroria kërkon dënimin me 1 vit burg si dhe heqje të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Por, i zgjedhuri socialist nuk rrezikon qelinë, pasi përfundimisht është kërkuar konvertimi i dënimit me 3 vjet shërbim prove. Duro akuzohet se licensoi një karburant që ishte i ndërtuar pa leje.

SPAK thekson se në bazë të rezultateve të hetimit janë konstatuar shkelje nga njësia administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 për shoqërinë “Genci Petrol” ku i lejohet ngritja e pikës së karburantit në Kapshticë.

Prokuroria ka dyshime se kjo shoqëri që kur ka marrë lejen në vitin 2015 ka realizuar përfitime të padrejta.

Nga aktet e administruara nga prokuroria rezulton se Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll dhe në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit, pajisën shoqërinë tregtare me autorizimin “Për tregtimin me pakicë të karburanteve”.

Autorizimi i mësipërm, sipas SPAK, është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në këtë kohë shoqëria nuk ka qenë e pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar, certifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës.

Karburanti në fjalë ishte vendosur që të prishej në 4 Tetor të 2019 nga Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Klan News