Sali Berisha në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike ishte entuziast për një rikthim të 3-të në drejtimin e vendit. Betejat e fituara gjatë viteve të fundit për shpëtimin e opozitës e quan mision të kryer, ndërsa shpalli një tjetër objektiv deri në zgjedhjet e 11 Majit, shpëtimin e Shqipërisë. 

“Rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve. Dhe me këtë duhet thënë se gjendemi në pikën kyçe të betejës sonë. Ditët tona të këqija janë tashmë e shkuara. Beteja jonë për shpëtimin e opozitës u krye, e fituam atë betejë. Tani jemi në betejën për shpëtimin e Shqipërisë.”

Lideri i demokratëve riktheu edhe një herë në kujtesë sfidat që partia më e madhe opozitare përballoi, duke i cilësuar të gjitha përpjekjet e një grusht shteti që vendosi në pikëpyetje edhe ekzistencën e kësaj partie.

Si do ishte sot ky 34-vjetor i PD nëse do ishim përkulur ndaj këtij grushti shteti që u krye ndaj opozitës shqiptare. Ne sot nuk do ishim këtu ose do ishim me një flamur tjetër të dorëzuar nga kundërshtari. Sigla, flamuri i vërtetë i PD do kishte humbur, do kishte mbetur pa zotërit, kalorësit e tij. Do ishim sërish të izoluar, një kryetar kukull që nuk do e zgjidhnit ju, që do na e diktonin me shantazh dhe presion. Do ishim pa identitet, do ishim pa fuqi, do ishim fasadë.”

Demokrati Ervin Salianji hapi nga burgu këtë ceremoni. Në audio-mesazhin e tij ai tha se e nesërmja për demokratët është betejë, qëndresë dhe protestë. Kërkoi angazhim të demokratëve për ta sjellë ndryshimin që i duhet vendit.

Klan News