Qeveria tashme ka gati përllogaritjen e plotë për rritjen e pagave të administratës dhe pensioneve që do të nisë duke filluar nga data 1 maj. Në një konferencë për shtyp kryeministri Berisha konfirmoi kategoritë që e përfitojnë atë duke thënë se në 4 vite paga mesatare e punonjësve të administratës është rritur me 68%. Kreu i ekzekutivit u shpreh se me këto rritje qeveria rikonfirmon luftën e saj kundër varfërisë, duke shtuar se ajo nuk bëhet për qëllime elektorale, siç pretendon opozita.
Sali Berisha: “ Rritja e rrogave dhe pensioneve nuk ka as edhe një qëllim elektoral. Po ne atyre që ju shprehen se ka qëllim elektoral u themi se kjo rritje është bërë në vitin 2006, madje rrogat e mësuesve janë rritur me 27%. Të infermierëve me 27% dhe nuk ka qenë elektorale. Kjo rritje është bërë në vitin 2007. Kjo rritje është bërë në vitin 2008 dhe për fat të keq në të gjitha këto rritje opozita ka votuar kundër në parlament. Rritja e rrogave të cilën opozita nuk e këshillon dhe paraqet si krizën botërore dhe pasojat e saj në ekonominë shqiptare si argument për të kundërshtuar rritjen e rrogave, behet dhe për një qëllim tjetër. Të rrisë kërkesën, të shtojë fuqinë blerëse në tregun e brendshëm.”
Më tej, duke folur për kartat e identitetit, kryeministri Berisha tha se qeveria ka bërë një skemë të re, përmes të cilës parashikohet ndihma me 10 mijë lekë të vjetra për ata persona që nuk kanë mundësi të blejnë kuponin. Në lidhje me pretendimin e opozitës për pajisjen në kohë të shtetasve pa pasaportë me letërnjoftimet e reja elektronike, Berisha u shpreh i bindur se ky proces do të ketë përfunduar në muajin maj.
Sali Berisha: “ Nga fundi i majit të gjithë qytetarët që duan do të pajisen me letërnjoftime dhe qe janë pa pasaportë do kenë mundësi të kenë letërnjoftimin. Opozita po të dëshironte të funksiononte detyrimin, të sillte ligjin me të cilin të detyroheshin qytetarët të votonin, sado që është i diskutueshëm, por ka disa vende që e kanë. Në qoftë se do të kishim një listë të tillë që qytetarët duhet të votojë dhe kanë këto sanksione atëherë dhe kartat do të jepeshin me detyrim.”
Në konferencën për shtyp kryeministri Berisha komentoi dhe lancimin e programit qeverisës të bërë nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.
Sali Berisha: “Unë pothuaj nuk u besova veshëve. A e dëgjuat ju zotin Rama të flasë për foli sovranitet ushqimor? Nga e mori, absolutisht nga gjysmë daja i tij. Çmimi për sovranitetin ushqimor i është dhënë Shqipërisë aty nga viti 83-84 diçka e kësaj natyre, imagjino ju, gjysma e vendit ishte në uri, unë nuk do të them se ky do ta zhysë vendin në uri, jo s’ka një program të atillë po ky u kthye prapë në origjinë se nga e gjeti sovranitetin ushqimor përveçse arkivave. Mund ta ketë sot vetëm Koreja e Veriut.”
Shefi i qeverise iu përgjigj dhe interesit te mediave lidhur me akuzën e prokurorisë ndaj ministrit Basha dhe vendimin më të fundit dhënë nga drejtësia për dosjen e rrugës Durrës Kukës, duke e cilësuar të papërgjegjshme kryeprokuroren Ina Rama që sipas tij mori përsipër të gjykojë aktet kolektive në kundërshti flagrante me ligjet. Sipas Berishës ministri Basha nuk është aspak i implikuar në këtë çështje dhe për këtë tha shefi i qeverisë ky veprim i paprecedente i organit të akuzës do të sqarohet dhe më tej./tvklan.al