Ndërtimi i Portit të Durrësit për kryedemokratin Sali Berisha do u kushtojë shqiptarëve 1.3 miliardë Euro. Kryetari i PD e cilësoi këtë një vjedhje të parave të qytetarëve nga kryeministri Edi Rama, duke mos iu kthyer mbrapsht asnjë shërbim.
Sali Berisha, Kryetar i PD: Sipas projektit të kompanisë holandeze, porti i ri do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Kjo është gjoba më e madhe në histori ndaj shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 150 përqind, mos më shumë, të rrogave të shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 100 përqind të pensioneve të shqiptarëve. Dhe të gjitha këto vetëm për parajsën e Edi Ramës.
Akuzave të Berishës ua dha përgjigjen zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Belinda Balluku: Lufta kundër projektit strategjik të portit të ri të Durrësit është luftë kundër vendosjes së Shqipërisë në hartën e Mesdheut si një pikë e re e rrjetit të tregtisë navale. Është luftë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale të projektit të portit të ri, ku në Prishtinë dhe Shkup do të ndërtohen dy porte të thata të lidhura me Durrësin. Është luftë kundër hekurudhës Durrës – Prishtinë dhe Korridorit 8 që pa portin e ri të Durrësit nuk bëjnë asnjë sens. Është luftë kundër vetë interesit strategjik të Shqipërisë dhe prandaj është një luftë e humbur, e cila bëhet nga ata që kanë dhënë prova se edhe e kanë djegur Shqipërinë për interesat e tyre. Sot u ka mbetur vetëm balta që edhe e eksportojnë jashtë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu. Por sa më shumë baltë të hedhin, aq më thellë ajo baltë do t’i përpijë pranverën që vjen, kur do ta marrin përgjigjen jo me baltë, po me votat e shqiptarëve.
Akuza ndaj ministres Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pati edhe kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi. Nga kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se ministrja Balluku ka miratuar kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës.
Klan News