Sali Berisha u kthye në sallën e seancave plenare pas plot 11 muajsh që mungoi, pasi qëndronte në arrest në shtëpi.

“Unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me 1 minutë heshtje”, tha ai.

Me propozimin e tij për një minutë heshtje për vdekjen e profesor Sami Repishtit, bëri bashkë të majtë e të djathtë që nderuan kujtimin e një figure antikomuniste kaq të rëndësishme.

Edhe pse më pas socialistët u kujdesën t’i kujtonin përplasjet e tij me profesor Repishtin.

“Personi që e ka akuzuar tjetrin për spiun kërkon edhe të mbahet minutë heshtje për të shkretin”, tha Balla.

Berisha e nisi fjalimin e tij duke akuzuar kryeministrin që nuk ishte në seancë, si urdhëruesin e arrestit shtëpiak.

“Sot ja ku jam, unë vij këtu me mesazhin e fitores, fitimtar. Vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores. Edi Rama nxin aty si Edi Metamorfoza”, tha Berisha.

Mes 34 amendamenteve që demokratët kanë propozuar për projektbuxhetin që po diskutohet nen për nen, pasi mori muajin e shkuar miratimin në tërësi, Sali Berisha kërkoi pezullimin e të gjitha prokurimet për investime publike luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të minimumit jetik, si dhe ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve.

“Po si mund të votoni ju një buxhet të tillë dhe të mos i rrisni në 20% pensionet? Si mund të sillni ju në parlament një buxhet për 800 mijë njerëz që marrin një pension saç merr gjermani për qenin e shtëpisë?”, tha Berisha.

Zv/kryeministrja Balluku u kujtoi demokratëve, pa iu drejtuar drejtpërdrejt kryetarit të tyre, se çfarë kanë bërë ata për pensionistët kur ishin në pushtet.

“Ju nuk mund të flisni sikur jeni një forcë e re, sikur ju jkeni shpresa e të ardhmes, sikur tani ka zbritur në tokë i dërguari për të zgjidhur problemet e këtij vendi. A e mbani mend si e jepnit bonusin e gjelit të detit juve? Ju keni shitur me artificë financiare hotel “Dajtin”, e shitët që të nxirrnit lekët e bonusit të gjelit të detit”, tha Balluku.

Debatet mes palëve vijuan pas çdo amendamenti të opozitës, që nuk morën asnjë prej tyre mbështetjen me votë të shumicës.

Sali Berisha foli dhe jashtë sallën se Kuvendit për buxhetin, edhe pse u ndërpre disa herë nga zëri i imamit të xhamisë së madhe të Namasgjasë.

“Nuk ka shpresa që të ketë ndryshime. Pra nuk ekzistojnë qytetarët hallet problemet. Duket se ia kanë dhënë Elisës butonin”, tha Berisha.

Të majtët dhe të djathtët u bënë bashkë sërish kur me propozim të Jorida Tabakut mbajtën një tjetër minutë heshtje për Arben Tafajn, ish-kryetarin e minibashkisë nr 8 në Tiranë.

Tv Klan