Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u ka bërë thirrje aleatëve që të rrisin ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën për të forcuar pozicionin e Kievit nëse ajo hyn në negociata me Moskën për përfundimin e luftës.

Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: Ukraina po hyn në një dimër tjetër vendimtar dhe agresioni i Rusisë nuk tregon shenja pakësimi. Në të kundërtën, Putini po rrit retorikën dhe veprimet e tij të pamatura. Ai po përdor Ukrainën si një terren testimi për raketat eksperimentale dhe po vendos ushtarë të Koresë së Veriut në luftë. Sa më e fortë të jetë mbështetja jonë ushtarake për Ukrainën tani, aq më e fortë do të jetë dora e tyre në tryezën e bisedimeve.

Sipas Rutte, NATO do të përmirësojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike përballë akteve “armiqësore” të sabotimit të Rusisë kundër aleatëve.

Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: Gjatë viteve të fundit, Rusia dhe gjithashtu Kina janë përpjekur të destabilizojnë kombet tona me akte sabotimi, sulme kibernetike dhe shantazhe energjetike për të na frikësuar. Asnjë nga këto veprime nuk do të na pengojë të mbështesim Ukrainën.

Nga ana tjetër Ukraina ka bërë sërish thirrje për anëtarësim në NATO, duke thënë se vetëm duke iu bashkuar plotësisht aleancës mund të garantohet siguria e saj në të ardhmen, teksa e lufton pushtimin rus, të nisur gati tre vjet më parë.

“Ne jemi të bindur që garantuesi i vetëm real për sigurinë e Ukrainës, si dhe faktori parandalues për agresion të mëtejmë rus kundër Ukrainës dhe vendeve tjera, është anëtarësimi i plotë i Ukrainës në NATO”, tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se pranimi i Ukrainës në NATO, do t’i jepte fund “fazës së nxehtë të luftës”.

Në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel pritet të diskutohet për vazhdimin e ndihmës ushtarake të NATO-s për Ukrainën, si dhe për sulmin që ka kryer muajin e kaluar Rusia me një raketë balistike eksperimentale.

Nga ana tjetër  Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake prej 725 milionë dollarësh për Ukrainën që përfshin një tjetër dërgesë me mina tokësore dhe municione për sistemet raketore HIMARS dhe raketa Stinger dhe drone.

Klan News