Krishtlindja u kremtua gjerësisht në mbarë Shqipërinë.

“Besimtarë të shumtë u mblodhën në Katedralen Shën Pali në Tiranë, për të pritur lindjen e Krishtit me urimin që Krishtlindja të sjellë një botë më të ndriçuar me dashuri, mirësi, harmoni dhe shëndet”, raporton gazetarja Dorina Halili.

“Dashuri dhe paqe, ky është misioni ynë.”

“Iu uroj gjithë të mirat gjithë shqiptarëve kudo që janë.”

“Lutemi për shëndetin në radhë të parë, për ekonominë.”

Mesha e vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit në Tiranë u drejtua nga kreu i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, i cili ndër të tjera vuri theksin edhe tek edukimi i brezave të rinj.

Arjan Dodaj: Krishtlindja, miqtë e mi është kujtesa e gjallë e këtij 2025-vjeçari nga lindja e Zotit që ka filluar të shënojë një drejtim të ri historisë.

Ndërsa besimtarët ortodoksë në Tiranë u mblodhën paraditen e kësaj të mërkure në katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

“Ne lutemi për familjen, për të gjithë njerëzit e dashur dhe për të gjithë atë që nuk veprojnë siç duhet.”

“Lumturi në familje dhe kudo.”

“Mblidhemi në shtëpi, gatuan e gjithë familja, i japim urimet më të mira njëri-tjetrit.”

Qindra besimtarë iu bashkuan ritualit fetar të lindjes së Jezu Krishtit edhe në Lezhë, në katedralen e “Shën Nikollit”

Otavio Vitale, Ipeshkv i Dioqezës së Lezhës: Me Krishtlindjen është ndryshe zemra e atij që e jeton atë.”.

Në Shkodër nuk munguan mesazhet për paqe. Drita e qirinjve si simbol i shpresës u ndez mes lutjesh edhe në Korçë. Durrësi po ashtu mblodhi në meshat e shenjta besimtarë të shumtë katolikë dhe ortodoksë.

Atmosfera e ngrohtë e një prej festave më të rëndësishme për besimtarët e krishterë u ndje edhe në Elbasan, Lushnje, Fier e Gjirokastër.

Krishtlindja përfaqëson gëzimin e familjes, bujarinë dhe solidaritetin, duke ftuar njerëzit që të reflektojnë mbi vlerat e mirësisë dhe shpirtit të bashkimit.

Tv Klan