Papa mbajti fjalimin e tij tradicional të Krishtlindjes “Urbi et Orbi” nga ballkoni qendror i Bazilikës, në sheshin e Shën Pjetrit, i cili u mbush nga mijëra pelegrinë nga e gjithë bota.
Ata valëviitën flamujt e vendeve të tyre, teksa dëgjuan fjalët e Papës. Siç është zakoni i tij, Papa shfrytëzoi mesazhin e tij për Ditën e Krishtlindjeve për të folur për një sërë konfliktesh në botë.
Në mesazhin e tij, Papa Francesku bëri thirrje për bisedime midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi dy vite më parë dhe u ka marrë jetën mijëra njerëzve.
Papa Francesku: Le të heshtin armët në Ukrainë. Le të jetë guximi i nevojshëm për të hapur derën e negociatave dhe dialogut, në mënyrë që të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
Duke reflektuar mbi lindjen e Krishtit në qytetin e Betlehemit, Papa shpreh solidaritetin me komunitetet e krishtera në Izrael dhe Palestinë.
Papa Francesku: Mendimet e mia shkojnë për komunitetet në Izrael dhe Palestinë dhe veçanërisht për komunitetin e dashur të Gazës, ku situata humanitare është ekstremisht e vështirë. Le të ketë një armëpushim, le të lirohen pengjet dhe të jepet ndihma për njerëzit e rraskapitur nga uria dhe nga lufta.
Gjatë fjalimit, Papa vuri në dukje edhe nevojat e emigrantëve dhe refugjatëve, të papunëve, të burgosurve dhe viktimave të persekutimit fetar.
Ai bëri gjithashtu një apel të veçantë për lehtësimin e borxheve për vendet e varfra, që është një fokus i veçantë i Vitit Jubilar 2025.
Mesazhi i paqes për ditën e Krishtlindjeve të këtij viti vjen në një kohë të rëndësishme në Kishën Katolike, pasi Papa përuroi zyrtarisht Vitin Jubilar 2025 të Vatikanit.
Klan News