Bisedimet që synojnë arritjen e një armëpushimi në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve kanë filluar në Doha.
Shefi i spiunazhit të Izraelit pritet të bashkohet me homologët e tij amerikanë dhe egjiptianë dhe kryeministrin e Katarit për raundin e ri të bisedimeve por mbetet e paqartë nëse Hamasi po merr pjesë drejtpërdrejt apo jo.
Me anijet luftarake, nëndetëset dhe avionët luftarakë amerikanë që janë dërguar në rajon për të mbrojtur Izraelin dhe për të penguar sulmet e mundshme, Uashingtoni shpreson se një marrëveshje armëpushimi në Gaza mund të zbusë rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri ka bërë të ditur se grupi është i përkushtuar ndaj procesit të negociatave dhe u kërkoi ndërmjetësve të sigurojnë angazhimin e Izraelit ndaj një propozimi për të cilin Hamasi ra dakord në fillim të korrikut, për të cilin ai tha se do t’i jepte fund luftës dhe kërkon një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza. Kërcënimi i Iranit për një përgjigje ndaj vrasjes së Haniyeh do të jetë gjithashtu në qendër të bisedimeve.
Tre zyrtarë të lartë iranianë kanë thënë se vetëm një marrëveshje armëpushimi në Gaza do ta pengonte Iranin nga hakmarrja e drejtpërdrejtë kundër Izraelit. Por një përshkallëzim i mundshëm nga lëvizja Hezbollah e mbështetur nga Irani në Libanin jugor po nxit frikën. Edhe kur negociatorët arritën në Katar, luftimet vazhduan në Gaza, me trupat izraelite që goditën objektivat në qytetet jugore të Rafah dhe Khan Younis. Avionët ushtarakë izraelitë sulmojnë qytetin Hamad në Rripin jugor të Gazës.
Më shumë se 40,000 palestinezë janë vrarë si rezultat sulmeve izraelite në Gaza. Ky numër përkthehet me rreth 1.7% të popullsisë 2.3 milionëshe të territorit. Krahas viktimave, analiza e imazheve satelitore sugjeron se gati 60% e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar që nga fillimi i luftës. Në muajt e fundit, qyteti jugor i Rafah ka pësuar dëmtimin më të madh, tregojnë imazhet.
Disa ekspertë kanë thënë se numri aktual i njerëzve të vrarë si rezultat i drejtpërdrejtë i luftës në Gaza ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, me zyrtarët lokalë që vlerësojnë se rreth 10,000 trupa mbeten nën rrënojat e ndërtesave të goditura nga sulmet ajrore izraelite.
Klan News