Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Sulmet ajrore të Natos kundër Jugosllavisë sot kanë hyrë në muajin e dytë. Fushata e sulmeve ajrore mbrëm ka patur për objektiv kryesor qytetin e Nishit. Qendër e rëndësishme në Serbinë jugore dhe selia e shtabit të armatës që po masakron Kosovën. Vetëm brenda gjysmë ore në disa pika të këtij qyteti janë qëlluar me 26 raketa.

Burimet serbe kanë njoftuar se pjesa veriore e Nishit ka ngelur pa ujë dhe energji elektrike. Aksionet e fundit të avionëve të Natos kanë bombarduar edhe një urë afër Beogradit dhe një rafineri nafte në Novisad. Sirenat janë dëgjuar edhe në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Në fushatën e fundit janë bombarduar edhe qendra të lëvizshme të radarëve dhe disa pozicione të artilerisë.

Lajmet e pakta nga Kosova edhe sot njoftojnë për gjendjen tepër të rëndë. Forcat serbe sot në orën 10 kanë filluar një sulm me granatime në drejtim të fshatrave të Hanit të Elezit, komuna e Kaçanikut. Të dhëna për viktima nuk ka. Agjensia “Kosova Press” njofton se forcat serbe të cilat dje janë vendosur në Rugovë, kanë penguar largimin e popullatës. Gjithashtu në qytetin e Mitrovicës është bërë identifikimi i 15 kufomave nga vala e fundit e ushtrisë jugosllave.

Nga disa fshatra të Ferizaj sot kanë arritur lajme shqetësuese për rrëmbime të disa vajzave dhe burrave të cilët janë nisur në drejtim të panjohur, si dhe tri raste të ekzekutimeve. Në pikën kufitare të Bllacës në Maqedoni sot janë rregjistruar mbi një mijë ardhje të reja të kosovarëve./tvklan.al

Gazetar – Aldon Lipe