Situata e borxheve mes kompanive të sektorit energjitik është rënduar. Në total bëhet fjalë për më shumë se 700 milionë dollarë detyrime që kompanitë e publike kanë ndaj njëra-tjetrës.
Borxhet e pashlyera brenda këtij tregu kanë dal në pah në baza të një auditi të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i rekomandon KESH-it, OST-së dhe OSHEE-së që të zgjidhin zinxhirin e borxheve, detyrë që u lind nga një urdhër i kryeministrit që daton në Majit të 2015-s, për shlyerjen e detyrimeve dhe parandalimin e krijimit të borxheve të reja.
Debitori më i madh vazhdon të mbetet kompania OSHEE, e cila ka të trashëguar një shumë të madhe që nga koha kur administrohej nga çekët, por dhe që ka krijuar detyrime të reja. Vetëm ndaj Korporatës Elektroenergjitke, OSHEE ka 537 milionë dollarë detyrime, shumica për fatura të blerjes së energjisë. Kompania e shpërndarjes ka po ashtu dhe 119 milionë dollarë debi ndaj Operatorit të Transmetimit, të cilat janë shtuar gjatë 2017-ës, dhe 84 milionë dollarë ndaj furintorëve privatë të energjisë.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka 38 milion dollarë detyrime ndaj KESH-it, ndërsa vetë KESH rezulton me borxhe në Drejtorinë e Tatimeve.
Së fundi BERZH ka miratuar një hua për pagesën e borxheve brenda sektorit energjitik, e cila pritet të shfryjë flluskën e madhe të krijuar mes firmave në këtë treg.
Tv Klan