Në një intervistë të dhënë për mediat britanike, pas ndeshjes ndaj Notingham, sulmuesi Armando Broja ka treguar përse pranoi të shkonte në huazim tek Everton. Ai ka zbuluar se më parë ka zhvilluar bisedime lidhur me lëvizjen në Goodison Park.
“Kam folur me Evertonin disa herë, jo vetëm këtë verë, por verën e kaluar dhe gjëra të tjera, kështu që disi e dija se më pëlqenin. Është e qartë se kur erdhën në këtë verë për të më marrë në ditën e fundit të merkatos, kjo ishte disi e pamenduar. Ishte pozitive të bëja diçka të re, duke kaluar nga Chelsea në Everton”.
Broja u aktivizua në ndeshjen ndaj Manchester City dhe la një përshtypje të mirë në fushë me energjinë dhe dëshirën e tij për të ndihmuar ekipin.
“Gjithmonë dua të tregoj impenjimin tim për ekipin, qoftë me gola me asist me mbajtjen lart të topit, apo duke krijuar raste”.
Ndaj Notingham, Everton humbi 2-0. Broja ishte sërish në fushë për 75 minuta.
“Nuk do të thosha se ishte një nga ndeshjet e mia më të mira, por përfundimisht jam përmirësuar, por sigurisht që dua të jap gjithçka dhe të bëj më mirë”.
Armando Broja vjen pas një dëmtimi dhe rikuperimi të gjatë. Pjesa e mbetur e sezonit do të shërbejë si një mundësi që ai të tregojë më të mirën në mënyrë që Everton të marrë vendimin për të blerë kartonin e tij nga Chelsea.
Tv Klan