Në Bruksel vijon dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ku temë kryesore të jetë vendimi i Bankës Qendrore të Prishtinës ndalimi i përdorimit të Dinarit në Kosovë.
Ky është takimi i pestë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia.
Për dallim nga takimet e mëparshme që janë mbyllur pa ndonjë rezultat, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh me ta.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Euroja u caktua si monedha e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme që nga data 1 Shkurt. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.
Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.
Klan News