Në pjesën e tretë të emisionit Opinion në Tv Klan u trajtua çështja e pasaportave dhe sa e fortë është pasaporta shqiptare. I ftuar në studio në një intervistë ishte ministri i Jashtëm, Igli Hasani i cili ka folur lidhur me këtë temë, por jo vetëm.

Ministri Hasani ndër të tjera foli edhe lidhur me sfidat e tij në këtë detyrë ku u shpreh se janë disa sfida të cilat ai i shikon përpara gjatë punës së tij si ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, por sfida personale që ai ka është të kthejë shërbimin diplomatiktë Shqipërisë në shekullin 21.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij Hasani është shprehur se emërimi i tij si ministër është gjëja më e bukur që mund ti ndodhë një shqiptari që jeton jashtë.

Blendi Fevziu: Zoti Hasani para se të vini si ministër ju keni ardhur nga një karrierë teknike pra jo politike, ku keni shërbyer?

Igli Hasani: Kam shërbyer në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, në Vienë. Kam shërbyer atje për dy vite në sekretariatin e OSBE, por tre vjet para saj kam qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare në Vienë.

Blendi Fevziu: Si e prite emërimin?

Igli Hasani: Është patjetër gjëja më e bukur që mund t’i ndodhi një shqiptari sidomos atyre që jetojnë jashtë.

Blendi Fevziu: Cila është sfida juaj?

Igli Hasani: Janë disa sfida. Ajo që mund ta quaj personale është që ta kthej shërbimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë në shekullin 21 . Edhe te pasaportat, edhe tek rankimi edhe tek shërbimi ne duhet të afrohemi sa më shumë fundit të viteve 90 dhe fillim shekullit të 21 në vitin 2023-2024 sepse kjo është sfida më e madhe.

Blendi Fevziu: Ne jemi një vend që kemi më pak banorë brenda vendit sesa emigrantë jashtë vendit, ndërkohë përfaqësitë diplomatike i kemi fare modeste. Duhet të ketë një shpërndarje sepse ato kërkojnë shërbime. Keni një plan në këtë drejtim?

Igli Hasani: Edhe kjo është një pjesë e punës edhe pjesë e të gjithë përpjekjes që në fund të 2024 unë shpresoj të ketë rezultatet e para./tvklan.al