Intervistat e Arben Ahmetaj nga arratia ku ka lëshuar akuza të forta ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste, për analistin Baton Haxhiu nuk janë etike.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu thotë se në akuzat e Ahmetajt qëndron vetëm intriga dhe spiunimi.

Atë që cilëson si më të rëndën nga deklarata e ish-zv.kryeministrit është kërkesa për burgosjen e ish-kolegëve të tij, gjë për të cilën analisti thotë se është jo njerëzore.

Baton Haxhiu: Shikojeni ku është e rëndë kur thotë “protestat i paguan Belinda Balluku”. Më së pari. Sa herë që ai flet thotë jam i rrezikuar dhe të nesërmen ke konferencën për shtyp të Berishës.

Blendi Fevziu: Tani Baton të jemi të ndershëm. Nuk ulesh dot në kafe me ndonjë njeri afër PS-së se thotë “ky lufton këtë, kjo paguan këtë, ky paguan kundër saj”. Gjithë PS-ja jeton me idenë që secili nxjerr thikën me ja futë tjetrit.

Baton Haxhiu: Kjo është temë tjetër.

Blendi Fevziu: Çfarë qëndron nga akuzat e Ahmetaj?

Baton Haxhiu: Intriga dhe spiunimi. Mbartja e dokumentacioneve nëpër ambasada kundër njëri-tjetrit. Kjo është vetëshkatërrim. Ai e pranon dhe bëhet krenar për të marrë azil. Shumë pa karakter duhet me qenë me folë ashtu dhe për të krijuar atë atmosferë që mbart njëfarë përplasje në Tiranë nga Zvicra. Ajo që ishte më e rënda, ai kërkon burgosjen e kolegëve të tij, 6 që i përmendi me emra. Si mundet një njeri që thotë “burgosni ata se edhe ata janë sikur unë”, kurse për veten thotë “unë nuk jam fajtor”. Tmerr. Kjo është jo njerëzore. Nuk ka etikë brenda rrëfimit të tij.

/tvklan.al