Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka mbajtur këtë të premte mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për mënyrën e arritjes së votave me postë.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi ka propozuar se duhet të krijohet një komision i cili i do t’i përcillte procedurat e votave nga jashtë derisa të mbërrijnë në KQZ, njofton Klan Kosova.

“Ne kemi diskutuar se duhet të merret një vendim për krijimin e një grupi apo komisioni që i përcjell votat e diasporës me postë për të gjitha veprimet derisa të mbërrijnë në KQZ. Gjithashtu, kërkojmë që afati i fundit për mbërritjen e këtyre votave të jetë një ditë para se të mbahen zgjedhjet”, ka thënë Kurteshi.

Ndërsa, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në KQZ, Sami Hamiti, ka deklaruar se vendi i fundit ku duhet të shkojnë votat duhet të jetë Fahu Postal në kuadër të Postës së Kosovës.

“Të gjitha votat duhet të dorëzohen tek Fahu Postal, e cila është adresa e fundit, pra posta numër gjashtë”, tha Hamiti.

Burim Ahmetaj nga sekretariati i KQZ0së ka thënë se ata kanë marrë masa të shpejta për mënyrën e sjelljes së votave në Kosovë.

“Votat do të jenë në Fahun Postar të Postës së Kosovës, disa prej tyre do t’i sjellin me posta private dhe disa nga posta shtetërore”, ka thënë Ahmetaj./klankosova