Nisma e qeverisë shqiptare kundër informalitetit të pagave, me pasoja në pensionet e qytetarëve ka dhënë frytet e para. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, pas një njoftimi në fillim të muajit tetor të 130 mijë tatimpaguesve, për nxitjen dhe deklarimin e real të pagave deri më 20 tetor, rezulton se 9 mijë prej tyre kanë reaguar pozitivisht duke rritur deklarimin e pagave.
Sipas të dhënave nga Tatimet, për muajin tetor, fondi i deklaruar i pagave u rrit me një shumë totale prej 1.25 miliard lekësh. Duke bërë që Administrata Tatimore të mbledhë nga kontributet 819 milionë lekë ose 6% më shumë se plani i parashikuar.
Administrata Tatimore ka identifikuar 37.331 tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave, të cilët pavarësisht njoftimit të parë nuk kanë reaguar ende. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, këtyre subjekteve u është bërë një njoftim i dytë i personalizuar për t’i dhënë bizneseve mundësinë e dytë dhe të fundit për të reaguar, në të kundërt do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi në zbatim të ligjit për procedurat tatimore.
Prej disa kohësh qeveria ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi mbi deklarimin real të pagave, sepse kjo gjë ka ndikim të drejtpërdrejtë te skema e pensioneve. Madje kryeministri Edi Rama në këto takime ka deklaruar se ata që nuk deklarojnë pagat reale do të ndiqen penalisht.
Klan News