Kryeministri Edi Rama zhvilloi një tjetër takim ku në fokus ishte plani për luftën ndaj informalitetit. Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të pranohen më deklarime pagash të cilat nuk janë të besueshme. Kjo do të bëhet mbi bazat e analizave të tregut, theksoi ai.
Rama mori si shembull sektorin e ndërtimit, ku tha se deklarime e pagave në 60 mijë lekë do kthehen mbrapsht. Ai theksoi se ata që nuk e kryejnë siç duhet deklarimin do të përballen me situata njësoj si ata që nuk paguanin energjinë elektrike, çka mund të çojë në kolaps të kompanisë.
Para strukturave tatimore që ishin në takim prezantoi edhe disa nga “armët” e qeverisë në këtë luftë. Ai tha se një nga mundësitë është edhe që ligji të bëhet si në vendet nordike.
“Merrini shumë seriozisht, të gjithë. Po flas me të gjitha kompanitë që janë tek kjo zonë ku grabiten pensionistët rregullisht që deklarimi i pagës duhet të jetë serioz, i vërtetë. Jemi dëshmitarë të gjithë. Dolën pagat rrugëve, për shkak të sistemit dixhital të hakeruar. Vetëm nga ajo pati një rritje të deklarimeve sepse u kuptua. Megjithatë jemi duke studiuar edhe mundësinë që ta bëjmë si vendet nordike, të detyrojmë nxjerrjen e pagave të të gjithëve me ligj. Që të gjithë ta shohin se kush paguan çfarë. Kjo është arma e fundit. Tjetra është hyrja më thellë pastaj në inspektime, krimi ekonomik i Ministrisë së Brendshme etj. Nuk janë as kërcënime, as presione. Janë thjesht informacion transparent për çfarë kemi ndërmend të bëjmë. Kemi që në fillim të këtij viti që jemi ulur me një grup pune të gjerë, me ekspertë ndërkombëtarë, me praktikat më të mira të studiuara të analizuara që ti japim përgjigje pensionistëve ça do bëhet me ne. Dhe ça do bëhet me ta nuk ka kush e jep përgjigjen tjetër përveç kësaj qeverie”, tha Rama.
Po ashtu Rama paralajmëroi masa drastike për çdo biznes të vogël që nuk paguan sigurimet shoqërore deri në mbylljen e aktivitetit./tvklan.al