Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 89 vite burg grupin prej 10 personash të akuzuar për sasinë prej 485 kg kokainë në Frakull të Fierit.
Sipas vendimit të GJKKO, në dënimet e dhëna është aplikuar për të gjithë të pandehurit ulja në masën e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Njëri prej të dënuarve, Julian Malaj, i cili përfundimisht u dënua me 2 vite burgim, është urdhëruar që të lirohet menjëherë nga qelia për shkak se kohëzgjatja në paraburgim është më e madhe se sa dënimi i caktuar.
Nikolin Gjolena, i dënuar me 11.4 vite burg
Denilson Çervenaku, i dënuar me 11.4 vite burgim
Viktor Çervenaku, dënuar me 10 vite burgim
Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra, i dënuar me 11.4 vite burgim
Zenel Çervanku, i dënuar me 9.4 vite burgim
Enxhi Ferhati, e dënuar me 8 vite burgim
Redion Meshi, i dënuar me 9.4 vite burgim
Bledar Matoshi, i dënuar me 8 vite burgim
Marildo Rona, i dënuar me 8 vite burgim
Julian Malaj, i dënuar me 2 vite burgim, lirohet menjëherë
Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesën e drogës.
Kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Më pas në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi është zhdoganuar në Tiranë, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.
Në atë kohë SPAK në bashkëpunim me agjensitë e huaja ligjzbatuese kanë pasur dijeni për ngarkesën e kokainës dhe kanë bërë dorëzimin e kontolluar të saj deri sa kanë ndërhyrë në banesën e Çervanakut.
/tvklan.al