Policia e Tiranës është duke hetuar në pistën e hakmarrjes për vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa mbrëmjen e së enjtes në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Pista e hetimeve është fokusuar në vrasjen që 40-vjeçari kishte kryer në Angli në vitin 2008, ku Gjykata e Londrës e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Hetuesit thonë se vrasja është kryer me pagesë.
Deri tani janë shoqëruar rreth 15 persona në polici që mund të kenë dijeni lidhur me këtë ekzekutim apo kanë pasur konflikte me të ndjerin, i cili ishte kthyer nga Belgjika 4 ditë më parë.
Hekuran Billa u qëllua me gjakftohtësi brenda makinës së tij tip BMW X6 nga një tjetër makinë në lëvizje. Atentatorët qëlluan me një armë tip MP5 (si kjo që shikoni në foto) të modifikuar me silenciator.
Breshëria e plumbave lëshuar në drejtim të viktimës, i shkaktoi vdekjen e menjëhershme Hekuran Billës.
Kalimtarët e rastit i thanë policisë se nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë, kjo për shkak të silenciatorit të armës, por kuptuan çfarë kishte ndodhur kur panë makinën e viktimës që u përplas me mjete të tjera të parkuara pasi kishte humbur drejtimin.
Pas vrasjes, atentatorët braktisën mjetin në Pezë në periferi të Tiranës duke i vendosur flakën. Brenda mjetit “Mercedez-Benz” me portobagazh, ekspertët kriminalistë gjetën armën e krimit.
Nga verifikimet ka rezultuar se automjeti Benz i vrasësve ishte me targa të vjedhura që i ishin marrë një makine tip Renault. Përpos pistës së hakmarrjes, policia është duke hetuar edhe atë të prishjes së pazareve. /tvklan.al