Një prej djemve të Bedrie Lokës, 41-vjeçares që u vetëhelmua, ka treguar për grupin hetimor se si ishte kërcënuar në një episod nga bashkëshorti, pikërisht në të njëjtën formë që e ndjera ndërmori aktin ekstrem.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, në dosje hetimore që disponon, evidentohet dëshmia e një prej djemve të çiftit Loka, i cili tregon se si babai i tij e kishte kërcënuar nënën 1 vit më parë duke i thënë se do ta bënte të vriste veten.
“Mami dhe babi giithmonë kanë patur debate me njëri-tjetrin e nuk i kanë patur mirë marrëdhëniet, gjithmonë debatonin, madje dhe një ditë para se të vdiste mami, një ditë para se të pinte helm, ka bërë një debat të fortë me mamin se nuk e lejonte mamin të shkonte te shtëpia e gjyshes dhe filloi duke e sharë dhe ofenduar mamin tim. Debati atë natë ka zgjatur nga ora 1900 pak a shumë, deri në orën 23:00. Babi kur ka qenë në Greqi, gati një vit përpara, e ka marrë në celular mamin tim dhe i ka thënë që unë ty do të bëj të vrasësh veten, mbaje mend. Shkaku i këtij veprimi ka qenë se mami ka qenë shumë herë e kërcënuar dhe e ofenduar nga babi im. Mami ka patur konflikte të herë pas hershme me babain tim”, thuhet në dëshminë e një prej djemve të Bedrie Lokës.
Bedrie Loka u vetëhelmua me fostoksinë më 2 Janar në banesën e saj në Durrës. 41-vjeçarja ndërroi jetë një ditë më pas.
Për këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik shqiptar është arrestuar bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, i cili akuzohet për shkaktim të vetëvrasjes. Ai akuzohet se ka dhunuar fizikisht e psikologjikisht të ndjerën Bedrie Loka. Kjo provohet nga disa video dhe biseda, si dhe dëshmitë e fëmijëve të çiftit që kanë deklaruar para hetuesve se babai keqtrajtonte të ëmën.
/tvklan.al