Shkencëtarët në një kompani bio-teknologjike në Kaliforni kanë zbuluar një antitrup që bllokon totalisht koronavirusin. Këtë zbulim ata e kanë konsideruar si “kurë”.

Sorrento Therapeutics e ka selinë në San Diego dhe pretendon se antitrupi STI-1499 ndaloi koronavirusin që të hyjë në qelizat njerëzore gjatë një eksperimenti.

Në një konferencë përfaqësuesit e Sorrento-s deklaruan se mund të prodhojnë deri në 200 000 doza në muaj. Ky prodhim pritet ta bëjë ilaçin më herët të disponueshëm sesa vaksina e Covid-19.

Kompania ka aplikuar për të marrë aprovimin në Administratën Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, por deri më tani nuk e ka marrë dritën jeshile.

“Duam të theksojmë se ka një kurë. Është një zgjidhje që punon 100%. Nëse ke antitrupin në organizëm nuk ke nevojë për distancë sociale. Shoqëritë mund të hapen pa frikë”, tha drejtori ekzekutiv i Sorrento-s, Henry Ji.

Megjithatë në mes të gjithë kësaj pune qëndron një “nëse”. Kjo pasi antitrupi u eksperimentuar në qelizat gjatë një testi në laborator, dhe kompania nuk di ta thotë me saktësi se ilaçi ka bllokuar të gjithë infeksionin në trup. Antitrupi nuk është testuar tek njerëzit kështu që nuk dihet se si mund të sillet brenda trupit të njeriut./tvklan.al